Kontrolli i identitetit si shkas për t’i penguar kërkuesit nga pjesëmarrja në protesta nuk ishte në përputhje me Konventën

Në rastin Alıcı dhe të tjerët kundër Turqisë (kërkesa nr. 70098/12, 24.05.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur shkelje të Nenit 5 § 1 (e drejta për liri dhe siguri) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe shkelje të Nenit 11 (liria e tubimit dhe e asocimit).

Rasti kishte të bënte me kërkuesit, 27 shtetas të Turqisë, të cilët ishin pjesëtarë të sindikatës Eğitim-Sen (Eğitim ve Bilim Emekçiler Sendikas – Sindikata e punëtorëve të arsimit dhe shkencës) të cilët ishin arrestuar duke udhëtuar me autobus nga Adana në Ankara për të marrë pjesë në një protestë të organizuar nga sindikatat kundër një ligji që po diskutohej në Parlament për të ndryshuar ligjin për sindikatat e sektorit publik dhe reformën e përgjithshme të sistemit arsimor.  Atyre iu shqiptuar një gjobë administrative për shkak se refuzuan të identifikoheshin nga policia e cila e kishte ndalur autobusin. 

Gjykata gjeti se arsyeja kryesore për arrestimin dhe ndalimin e kërkuesve kishte qenë parandalimi i udhëtimit të tyre në Ankara dhe pjesëmarrjes në protestat të cilat ishin shpallur të jashtëligjshme. Në veçanti, Gjykata gjeti se kërkuesit nuk ishin liruar deri në orën 14:50 të darës 28 mars 2012, ndërsa identitetet e tyre ishin konfirmuar në orën 4:50 të mëngjesit. Nuk kishte kurrfarë arsye për t’i mbajtur pasi ishin konfirmuar identitetet e tyre. Për më tepër, policia i kishte këshilluar kërkuesit se të gjitha protestat e planifikuara të mbaheshin
në kryeqytet më 28 dhe 29 mars 2012 ishin ndaluar për arsye të sigurisë dhe rendit publik dhe u kishin thënë të ktheheshin në shtëpi, një veprim që supozonte dyshimin se kërkuesit do të prishin sigurinë dhe rendin publik nëse protestonin sipas planit. Megjithatë, autoritetet nuk kishin dëshmuar bindshëm se kërkuesit sipas të gjitha gjasave do të kishin marrë pjesë në kryerjen e ndonjë vepre konkrete dhe specifike po të mos ishin arrestuar apo ndaluar për kontroll identiteti apo ndonjë qëllim tjetër.

Gjykata përsëriti se arrestimi do të ishte i pranueshëm vetëm kur përmbushja e një “detyrimi të përshkruar me ligj” nuk mund të sigurohej me mjete më të buta, gjë që nuk ishte rasti në rastin në fjalë. Kësisoji, arrestimi i kërkuesve dhe ndalimi i vazhdueshëm nuk kishin qenë në përputhje me Nenin 5 të Konventës. 

Gjykata përsëriti se autoritetet kishin për detyrë të merrnin masat e duhura lidhur me protestat e ligjshme për të garantuar sjelljen paqësore të tyre dhe sigurinë e të gjithë shtetasve. Në këtë rast, me gjasë, e vetmja masë që ishte marrë në fakt kundrejt kërkuesve dhe protestuesve të tjerë ishte të ndaloheshin nga udhëtimi në Ankara, masë të cilën Gjykata e konsideroi si joproporcionale dhe të panevojshme për të parandaluar prishjen e rendit dhe mbrojtjen e të drejtave të të tjerave (qëllime legjitime të kërkuara nga autoritetet). Andaj, Gjykata gjeti shkelje të Nenit 11 (liria e tubimit dhe asocimit).

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut