Mbrojtja e posaçme për të miturit duhet të jetë faktor vendimtar për shtetet kur shqyrtojnë çështje që lidhen me statusin e emigrantëve të paligjshëm

Në rastin Sh. D. dhe të tjerëve kundër Greqisë, Austrisë, Kroacisë, Hungarisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë (kërkesa nr. 14165/16, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri:

  • i ka deklaruar kërkesat kundër Austrisë, Kroacisë, Hungarisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë qartazi të pabazuara;
  • i ka deklaruar kërkesat kundër Greqisë sipas Neneve 3 dhe 5 § 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut të pranueshme;
  • ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe shkelje të Nenit 5 § 1 ((e drejta për liri dhe siguri) sa i përket tri kërkuesve.

Rasti kishte të bënte me kushtet e jetesës së kërkuesve në Greqi, që ishin pesë emigrantë të mitur të pashoqëruar nga Afganistani të cilët hynë në Greqi kur ishin prej 14 deri në 17 vjeç.  Ata pretendonin se kishin ikur nga Afganistani sepse frikësoheshin për jetën e tyre duke qenë pjesëtarë të pakicës fetare Ismaili.

Lidhur me Nenin 3 të Konventës, Gjykata së pari vendosi se kushtet e paraburgimit të tre prej kërkuesve në stacione të ndryshme policore përbënin trajtim degradues, duke vërejtur se ndalimi në këto vende tek personat në fjalë mund të ngjallte ndjenjën e izolimit nga bota e jashtme, me pasoja potenciale negative në mirëqenien e tyre fizike dhe mendore. 

Së dyti, Gjykata konsideroi se autoritetet nuk kishin bërë gjithçka që mund të pritej në mënyrë të arsyeshme për të përmbushur detyrimin për t’i siguruar dhe për t’i mbrojtur katër prej kërkuesve, të cilët kishin jetuar për një muaj në kampin Idomeni në një mjedis të papërshtatshëm për adoleshentët. Këtë obligim e kishte shteti i Greqisë sa i përket personave të cilat ishin veçanarisht të cënueshëm për shkak të moshës së tyre.  Sipas praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, nga shtetet e Konventës kërkohet t’i sigurojnë dhe t’i mbrojnë të miturit e huaj të pashoqëruar. Më konkretisht, në rastet që kanë të bëjnë me pranimin e të miturve të huaj, qoftë të shoqëruar ose të pashoqëruar, duhej të kihet parasysh se ndjeshmëria ekstreme e fëmijës ishte faktori vendimtar dhe kishte përparësi ndaj konsideratave që lidhen me statusin e emigrantit të paligjshëm.

Kur bëhet fjalë për Nenin 5 § 1, Gjykata konsideroi se vendosja e këtyre tre kërkuesve në stacione policore ishte privim nga liria pasi qeveria greke nuk kishte sqaruar pse autoritetet i kishin vendosur kërkuesit në stacione policore  – dhe në kushte degraduese të paraburgimit – në vend se në strehimore të përkohshme alternative. Ndalimi i këtyre kërkuesve rrjedhimisht ishte i paligjshëm.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut