25 Shk Mohimi i qasjes në informatat e klasifikuara për arsye të interesit publik në përputhje me Konventën
Në rastin Šeks kundër Kroacisë (kërkesa nr. 39325/20, 03.02.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me ankesën e një politikani në pension se kërkesa e tij për qasje në informata të klasifikuara presidenciale për të realizuar një hulumtim për një libër ishte refuzuar mbi bazën e sigurisë kombëtare. Në qershor të vitit 2017, z. Šeks paraqiti një kërkesë në Arkivin Shtetëror Kroat për të pasur qasje në 56 dokumente nga të dhënat e Zyrës së Presidentit në periudhën midis viteve 1994 dhe 1999. Ai kërkoi qasjen si pjesë e hulumtimit për një libër që po shkruante mbi themelimin e Republikës së Kroacisë. Dokumentet ishin klasifikuar si “sekret shtetëror – rreptësisht konfidenciale”. Atij iu mohua qasja në 25 dokumente.
Gjykata gjeti se mënyra se si autoritetet vendore e kishin vlerësuar kërkesën e tij nuk kishin qenë të gabuara në thelb apo me mungesë garancash të duhura procedurale. Në veçanti, dokumentet e kërkuara nga kërkuesi ishin shqyrtuar me kujdes nga pronari i informatave (Zyra e Presidentit), të ndihmuara nga një organ këshillimor i specializuar (Zyra e Këshillit të Sigurisë Kombëtare) dhe, në pjesën më të madhe, kërkesa e tij për t’iu qasur dokumenteve në fjalë ishte miratuar.
Për më tepër, vendimi i Presidentit që refuzoi të deklasifikonte disa nga dokumentet e kërkuara në fund ishte shqyrtuar dhe miratuar nga Komisioneri i Informatave, Gjykata e Lartë Administrative dhe Gjykata Kushtetuese. Në veçanti, Komisioneri i Informatave, i cili kishte shqyrtuar dokumentet, ishte dakord me përfundimin se deklasifikimi i tyre mund të dëmtonte sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet e jashtme të vendit dhe nuk e vlerësoi vendimin e ekzekutivit si abuziv. Komisioneri vuri gjithashtu në dukje se kërkuesi nuk kishte shpjeguar në apelin e tij se pse interesi i tij për t’iu qasur atyre informatave do të ishte më me peshë se interesi qenësor publik.
Në fund, Gjykata ishte në dijeni se në kontekstin e sigurisë kombëtare autoritetet kompetente mund të pritej të jepnin të njëjtën sasi detajesh në arsyetimin e tyre si, për shembull, në rastet e zakonshme civile ose administrative.
Dhënia e arsyeve të hollësishme për refuzimin e deklasifikimit të dokumentave top sekret mund të kundërshtonte lehtësisht vetë qëllimin për të cilin kjo informatë ishte klasifikuar në rend të parë.
Duke marrë në konsideratë shtrirjen e masave mbrojtëse procedurale të parashikuara për kërkuesin në këtë rast, Gjykata ishte së këndejmi e kënaqur se arsyet e dhëna nga autoritetet vendore për refuzimin e qasjes së kërkuesit në dokumentet në fjalë, jo vetëm që kishin qenë të duhura, por edhe, në këto rrethana, të mjaftueshme.
Andaj, nuk kishte pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut