Nuk ka pasur shkelje të Konventës në dënimin për krime lufte mbi bazën e përgjegjësisë së komandës

Në rastin Milanković kundër Kroacisë (kërkesa nr. 33351/20, 20.01.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 7 (ndalimi i dënimit pa ligj) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me dënimin e kërkuesit për krime lufte, të kryera nga njësitë policore nën komandën e tij, ndaj popullsisë civile serbe dhe një të burgosuri të luftës, në territorin e Kroacisë mes mesit të gushtit 1991 dhe mesit të qershorit 1992. Kërkuesi u ankua se, duke e dënuar për këto krime, gjykatat vendore kishin zbatuar një protokoll të zbatueshëm vetëm për konfliktet e armatosura ndërkombëtare, derisa ngjarjet kishin ndodhur para pavarësimit të Kroacisë, pra gjatë një konflikti të armatosur jondërkombëtar.

Gjykata vuri në dukje se Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY), i zbatueshëm për shkeljet e rënda të ligjit humanitar ndërkombëtar të kryera në ish-Jugosllavi nga 1 janari 1991, i referohej në aspekte të përgjithshme një ‘eprori’ dhe prandaj nuk e kufizonte aplikimin e tij vetëm te komandantët ushtarakë apo nuk bënte ndonjë dallim midis konfliktit të armatosur ndërkombëtar dhe jondërkombëtar. Në praktikën e vet gjyqësore, ICTY-ja kishte konsideruar tashmë se zbatimi i konceptit të përgjegjësisë komanduese për krimet e luftës të kryera në një konflikt të brendshëm të armatosur ishte bërë rregull i së drejtës zakonore ndërkombëtare në vitin 1991.

Gjykata u pajtua se nuk kishte dyshim se përgjegjësia e komandantëve për krimet e luftës të kryera në konfliktin e armatosur ndërkombëtar apo të brendshëm ishte rregull ekzistues i së drejtës ndërkombëtare në kohën e ngjarjeve. Për më tepër, koncepti i përgjegjësisë së komandës rrjedh nga koncepti i komandës së përgjegjshme, e cila nuk dallon konfliktin e armatosur ndërkombëtar nga ai jondërkombëtar. Tutje, përgjegjësia komanduese nuk vlente vetëm për komandantët ushtarakë, por edhe për eprorët e tjerë, joushtarakë.

Sa i përket natyrës së krimeve të luftës të kryera nga njësitet policore nën komandën e tij, Gjykata konsideroi se z. Milanković, oficer i arsimuar në akademi ushtarake, duhet ta kishte të qartë se ai mund të mbahej përgjegjës pavarësisht nëse këto krime janë kryer gjatë konfliktit ndërkombëtar ose të brendshëm ose nga një komandant ushtarak ose joushtarak (policor). 

Lidhur me argumentet e mbetura të kërkuesit se ai ishte dënuar për krimet e luftës mbi bazën e përgjegjësisë së tij komanduese edhe pse si zëvendësshef i departamentit të policisë ai nuk kishte pushtet të mjaftueshëm për t’u konsideruar penalisht përgjegjës si komandant, Gjykata vuri në dukje se gjykatat vendore kishin përcaktuar se kërkuesi kishte pasur autoritet zyrtar dhe aktual komandues mbi njësitë policore që kishin kryer krimet në fjalë dhe se ai kishte qenë në dijeni të këtyre krimeve. Andaj, nuk kishte asnjë shkelje të nenit 7 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut