Nuk kishte diskriminim kundër shtatzënave në punë

Në rastin Napotnik kundër Rumanisë (kërkesa nr. 33139/13, 20.10.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi, njëzëri, se nuk kishte pasur: asnjë shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 12 (ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me pretendimet e një diplomateje se ajo ishte tërhequr nga pozita e saj në Ambasadën Rumune në Ljubljanë sepse ishte shtatzënë. Kërkuesja ishte përgjegjëse për detyrat konsullore: puna e saj kryesisht lidhjej me ndihmën për shtetasit rumunë që gjendeshin në situata emergjente, si ndalimi policor, mungesa e dokumenteve të identifikimit, ose të shtruarit në spital.

Gjykata gjeti se kërkuesja ishte trajtuar ndryshe për shkak të seksit, por autoritetet vendase e kishin justifikuar mjaftueshëm dallimin e tillë në trajtim. Sipas mendimit të Gjykatës, autoritetet vendore kishin dhënë arsye përkatëse për të justifikuar përfundimin e pozitës së saj jashtë vendit. Ç’është e vërteta, vendimi ishte i nevojshëm për të siguruar dhe ruajtur kapacitetin funksional të sektorit konsullor të ambasadës, si dhe për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve, përkatësisht rumunëve që kishin nevojë për ndihmë jashtë vendit. 

Duke pasur parasysh natyrën e punës së kërkueses dhe urgjencën e kërkesave që ajo duhej të trajtonte, mungesa e saj në zyrë mund të rrezikonte shërbimet konsullore në ambasadë. Kjo u pa qartë kur shërbimet e tilla duhej të pezulloheshin dhe kërkesat për ndihmë iu ridrejtuan vendeve fqinje për një periudhë të caktuar gjatë shtatzënisë së saj të parë. 

Sidoqoftë, pasojat e vendimit nuk i kishin shkaktuar kërkueses ndonjë pengesë të konsiderueshme. Ajo nuk ishte shkarkuar, vendim i cili do të ishte ndaluar shprehimisht nga ligjet vendore që garantonin mundësi të barabarta, si dhe në kundërshtim me angazhimet ndërkombëtare të Rumanisë. Po ashtu, siç është përsëritur shprehimisht nga gjykatat vendase, vendimi nuk kishte qenë as masë disiplinore. Ajo në fakt kishte vazhduar të promovohej nga punëdhënësi i saj, së pari në dhjetor të vitit 2007 ndërsa kishte munguar gjatë shtatzënisë së saj të parë, dhe përsëri në shtator të vitit 2016, rreth një vit pas kthimit të saj në punë. Rrjedhimisht, nuk ka pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës. 12.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut