Procedurat penale kundër një qytetari të Kosovës për vrasje në kontekstin e gjakmarrjes ishin në përputhje me Nenin 6 të Konventës

Në rastin Shala kundër Zvicrës (kërkesa nr. 63896/12) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka refuzuar njëzëri kërkesën, duke konstatuar se ankesat e z.Shala janë qartazi të pabazuara. 

Rasti kishte të bëjë me procedurat penale të cilat sollën dënimin e z. Shala nga gjykatat zvicrane për vrasje në kontekstin e një “gjakmarrjeje”.

Në maj 1997 kryefamiljari i familjes Shala u ekzekutua në Kosovë nga një anëtar i familjes H. Një muaj më vonë, vëllai i kryesit të supozuar të asaj vrasjeje u vra në Zvicër. Në janar 2001 Gjykata e Rrethit Laufenburg (Zvicër) nxori aktgjykime në lidhje me gjashtë anëtarët e familjes së z. Shala, duke përfshirë babain, xhaxhain dhe djalin e xhaxhait të tij. Në nëntor 2010, z. Shala u dënua për vrasje dhe iu shqiptua dënimi me 18 vjet burg. Gjykata e qarkut konkludoi se z. Shala dhe kushëriri i tij e kishin qëlluar viktimën me 15-17 plumba në kokë ndërsa ai po përpiqej të shpëtonte. Apeli i z. Shala në gjykatën më të lartë u hodh poshtë. Para gjykatës më të lartë, z. Shala pretendoi për herë të parë se kishte pasur shkelje të Nenit 36 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të 24 prillit 1963 (VCCR). Z. Shala pretendonte në veçanti se babai, xhaxhai dhe djali i xhaxhait të tij nuk ishin informuar para gjykatës së qarkut për të drejtat e tyre sipas VCCR-së për ndihmë konsullore. 

  1. Shala paraqiti disa ankesa duke u bazuar në Nenit 6 të Konventës (e drejta për gjykim të drejtë). Ai i kritikoi autoritetet zvicrane, sidomos për dështimin e tyre për t’i informuar tre dëshmitarët, shtetas kosovarë, për të drejtën e tyre për ndihmë konsullore, sipas Nenit 36 të Konventës së Vjenës1 (VCCR), dhe pretendoi se deklaratat e dhëna nga këta dëshmitarë nuk mund të përdoren në procedurën penale kundër tij. 

Gjykata vuri në dukje se deklaratat e xhaxhait të z. Shala dhe djalit të xhaxhait të tij nuk ishin provë e vetme kundër kërkuesit. Për më tepër, këta dëshmitarë ishin shfajësuar nga paraqitja në gjykatën e lartë, dhe arsyet e hollësishme dhe objektive faktike për këtë ishin dhënë në aktgjykim. Gjykata gjithashtu vuri në dukje se babai i z. Shala ishte informuar për të drejtën e tij për ndihmë me avokat dhe përkthyes që nga fillimi i procedurave të ngritura kundër tij, dhe se ai kishte hequr dorë shprehimisht nga këto të drejta.

Gjykata gjithashtu gjeti se z. Shala nuk kishte treguar në mënyrë të argumentuar dhe të prekshme se si fakti që autoritetet zvicrane nuk i kishin njoftuar këta tre dëshmitarë për të drejtën e tyre për ndihmë konsullore sipas Nenit 36 të VCCR-së, kishte çfarëdo ndikimi në korrektësinë e procedurave kundër tij. Përdorimi i deklaratave nga këta tre dëshmitarë nga ana e gjykatave zvicrane, të cilat për më tepër i kishin mbështetur gjetjet e tyre në një gamë të gjerë provash, kësisoji nuk i kishte bërë procedurat jokorrekte si tërësi. Rrjedhimisht, nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut

1 All reference to Kosovo, whether to the territory, institutions or population, in this text shall be understood in full compliance with United Nations Security Council Resolution 1244 and without prejudice to the status of Kosovo.