Shkelja e Konventës për shkak të dëbimit kolektiv të të huajve në Hungari

Në rastin Shahzad kundër Hungarisë (kërkesa nr. 12625/17, 08.07.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 4 të Protokollit Nr. 4 (ndalimi i dëbimit kolektiv të të huajve) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe shkelje të Nenit 13 (e drejta për mjet efektiv) e marrë në lidhje me Nenin 4 të Protokollit Nr. 4.

Rasti kishte të bënte me hyrjen e kërkuesit nga Serbia në Hungari si pjesë e një grupi dhe dëbimin e tij grupor nga policia.

Më 11 gusht 2016 kërkuesi kaloi kufirin në mënyrë të parregullt me një grup të tjerësh. Disa orë më vonë ai dhe pjesëtarët e tjerë të grupit u kapën nga policia hungareze dhe u nxorën në anën tjetër të kufitit midis Hungarisë dhe Serbisë. Asnjë vendim zyrtar nuk ishte marrë për këtë. 

Mënyra e vetme që kërkuesi të hynte në Hungari në mënyrë të ligjshme ishte përmes dy zonave tranzite. Sipas kërkuesit, qasja në to në atë kohë ishte e kufizuar në 15 persona. Azilkërkuesit gjithashtu duhej të regjistroheshin me një nga emigrantët (“menaxheri i listës”) para hyrjes (ai u refuzua një herë për shkak se ishte i vetëm). Nuk pati asnjë procedurë zyrtare për regjistrimin e emrave në listën e pritjes dhe më pas lejimin e njerëzve nga ajo listë për të hyrë në zonën e tranzitit. Meqë kërkuesi nuk ishte në gjendje të hynte në Hungari, ai qëndroi në Serbi. Në fund të vitit 2016 kërkuesi u kthye në Pakistan vullnetarisht.

Gjykata përsëriti se në lidhje me Shtetet Kontraktuese si Hungaria, të cilat kishin kufi të jashtëm të Zonës Shengen, efektiviteti i të drejtave të Konventës kërkonte që ato Shtete të vinin në dispozicion mjete të mirëfillta dhe efektive të hyrjes ligjore, veçanërisht procedurat kufitare për arritjet në kufi. Në rastin e kërkuesit, pikat e hyrjes në dispozicion ishin vendosur 40 dhe 84 km larg vendit ku ai ishte kthyer në Serbi. Kërkuesi argumentoi se ato zona ishin të paarritshme për të për shkak të kufirit ditor për hyrësit dhe nevojës për t’u regjistruar paraprakisht. Gjykata konsideroi se për shkak të limiteve të pranimit të përditshëm, të cilët kishin qenë mjaft të ulëta, dhe mungesës së ndonjë procedure zyrtare të shoqëruar nga masat mbrojtëse të përshtatshme që rregullojnë pranimin e emigrantëve, Hungaria nuk kishte arritur të siguronte mjet efektiv hyrjeje. Si rrjedhojë, Gjykata gjeti se dëbimi i kërkuesit kishte qenë “kolektiv” duke çuar në shkelje të të drejtave të tij.

Gjykata vuri në dukje argumentin e Qeverisë se individët që largoheshin sipas Nenit 5 (1a) të Ligjit për Kufijtë Shtetërorë u informuan për të drejtën e tyre për t’u ankuar kundër masës së policisë. Por, ata nuk kishin paraqitur as bazën ligjore për një ankesë të tillë dhe as ndonjë praktikë gjyqësore përkatëse. As nuk kishin referuar te ndonjë mjet tjetër. Gjykata gjeti se kërkuesi nuk kishte në dispozicion mjet të duhur juridik, duke çuar kështu në shkelje të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut