05 Nën Sigurimi i mbrojtjes së shtuar për kreun e shtetit me anë të një ligji penal është i papajtueshëm me Konventën
Në rastin Vedat Şorli kundër Turqisë (kërkesa nr. 42048/19, 19.10.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me dënimin e kërkuesit me 11 muaj e 20 ditë burg (me pezullim të lëshimit të vendimit për pesë vjet) për fyerje ndaj Presidentit të Republikës, për shkak të dy postimeve të cilat ai i kishte shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook. Përmbajtja përfshinte, ndër të tjera, një karikaturë dhe një fotografi të Presidentit të Republikës të shoqëruar me komente satirike dhe kritike për të. Vendimi për dënimin e kërkuesit bazohej në Nenin 299 të Kodit Penal, i cili i siguronte nivel më të lartë mbrojtjeje Presidentit të Republikës sesa personave të tjerë.
Gjykata vuri në dukje se ishte plotësisht legjitime për personat që përfaqësonin institucionet e shtetit, si garantues të rendit publik institucional, të jenë të mbrojtur nga autoritetet kompetente, por duke iu referuar veçanërisht proporcionalitetit të sanksionit penal të parashikuar për fyerjen e Presidentit të Republikës, pozita dominuese e këtyre institucioneve kërkonte që autoritetet të shfaqnin përmbajtje në drejtim të procedimit penal. Gjykata ripërsëriti në lidhje me këtë se vlerësimi i proporcionalitetit të një ndërhyrjeje në të drejtat e mbrojtura nga Neni 10 varej shpesh nga fakti nëse autoritetet mund të kishin përdorur ndonjë mjet tjetër në vend të një sanksioni penal, siç janë masat e ligjit civil.
Prandaj, Gjykata konsideroi se në rastin në fjalë nuk kishte asnjë justifikim për vendosjen e z. Şorli në mbikëqyrje policore dhe paraburgim ose për shqiptimin e një sanksioni penal, pavarësisht faktit se nxjerrja e aktgjykimit që kërkon dënim me burg ishte pezulluar. Një sanksion i tillë, nga vetë natyra e tij, në mënyrë të pashmangshme kishte efekt serioz mbi gatishmërinë së personit në fjalë për të shprehur pikëpamjet e tij/saj për çështje me interes publik, veçanërisht duke pasur parasysh efektet e dënimit.
Procedurat penale për të cilat u dorëzua kërkesa sipas Nenit 299 të Kodit Penal ishin të papajtueshme me lirinë e shprehjes. Sigurimi i mbrojtjes shtesë përmes një ligji special kundër shpifjes, si rregull, nuk do të ruante frymën e Konventës, ndërsa interesi i Shtetit për të ruajtur reputacionin e kreut të atij shteti nuk mund të shërbente si justifikim për sigurimin e statusit të privilegjuar të kreut të shtetit ose mbrojtje të veçantë.
Duke pasur parasysh këtë, shkelja e të drejtave të z. Şorli sipas Nenit 10 të Konventës buron nga një problem në hartimin dhe zbatimin e Nenit 299 të Kodit Penal. Sipas mendimit të Gjykatës, hartimi i legjislacionit vendor përkatës në përputhje me Nenin 10 të Konventës do të përbënte formë të përshtatshme adresimi duke mundësuar dhënien fund të shkeljes
në fjalë.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut