26 Kor Vija midis së drejtës për t’u harruar dhe lirisë së shprehjes
Në rastin Hurbain kundër Belgjikës (kërkesa nr. 57292/16, 22.06.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me një gjykim civil kundër z. Hurbain, në cilësinë e tij si botues i gazetës ditore Le Soir, duke e urdhëruar atë që të anonimizonte një artikull në arkivin e tij elektronik i cili përmendte emrin e plotë të një shoferi i cili kishte qenë përgjegjës për një aksident rrugor vdekjeprurës në vitin 1994. Urdhri bazohej në të drejtën e individit për t’u harruar.
Gjykata theksoi në veçanti se, sipas Gjykatës së Apelit, një kërkim në faqen e gazetës ose në Google, vetëm duke futur emrin dhe mbiemrin e shoferit në fjalë, sillte menjëherë artikullin në fjalë. Gjykata vendore kishte marrë mendimin se mbajtja e artikullit në internet mund të shkaktonte dëm të pakufizuar dhe serioz të reputacionit të shoferit, duke i dhënë atij një “dosje penale virtuale”, kur ai jo vetëm që kishte vuajtur dënimin por edhe ishte rehabilituar. Kështu ishte konstatuar se mënyra më efektive për të siguruar respektimin e jetës së tij private, pa ndikuar në mënyrë disproporcionale në lirinë e shprehjes së z. Hurbain, do të ishte anonimizimi i artikullit në faqen e internetit të gazetës duke zëvendësuar emrin e plotë të individit me shkronjën X.
Gjykatat belge kishin peshuar të drejtën e shoferit për të respektuar jetën e tij private, nga njëra anë, dhe lirinë e shprehjes së z. Hurbain, nga ana tjetër, në përputhje me kriteret e përcaktuara në praktikën gjyqësore të Gjykatës. Gjykata e Apelit, në veçanti, kishte konsideruar dëmin e pësuar nga shoferi për shkak të artikullit në internet, duke pasur parasysh kalimin e kohës (rreth 20 vjet) që nga botimi i tij dhe faktin që anonimizimi i tij në faqen e internetit të Le Soir nuk do të ndikonte në tekstin e artikullit origjinal dhe do të ishte masa më efektive dhe proporcionale mes opsioneve të ndryshme. Arsyet e dhëna nga gjykatat vendore kishin qenë të rëndësishme dhe të mjaftueshme, dhe masa e vendosur ndaj z. Hurbain mund të konsiderohej si proporcionale me qëllimin legjitim të ndjekur (e drejta për respektimin e jetës private të shoferit) dhe si vendosje e një ekuilibri të drejtë midis të drejtave konkurruese në pyetje.
Gjykata shpjegoi se përfundimi që kishte arritur në rastin aktual nuk përfshinte ndonjë detyrim për mediat për të kontrolluar arkivat e tyre në baza sistematike dhe të përhershme. Në lidhje me arkivimin e artikujve, atyre nuk do t’u kërkohet të bëjnë një verifikim të tillë, dhe kësisoji të peshojnë të drejtat e ndryshme në pyetje, përveç nëse pranojnë kërkesë të shprehur për këtë qëllim.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut