Folësit kryesorë

Gjyqtari Robert Spano, Presidenti i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, u zgjodh si anëtar i Gjykatës për Islandën në vitin 2013. Para se të merrte detyrën e tij gjyqësore, ai ka shërbyer si Avokat i Popullit i Islandës gjatë periudhës 2009-2010 dhe përsëri në vitin 2013. Ai ka qenë Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Islandës në periudhën 2010-2013 dhe ka marrë titullin profesor në fushën e drejtësisë në vitin 2006. Ai ka qënë kryetar i Komisionit të Përhershëm të Ekspertëve për të Drejtën Penale pranë Ministrisë së Drejtësisë të Islandës gjatë periudhave 2003-2009 dhe 2011-2013. Ai ka qenë gjithashtu përfaqësues i Islandës në Komitetin Evropian për Problemet e Krimit dhe Ekspert i Pavarur në Komitetin Lanzarote të Këshillit të Evropës. Gjyqtari Spano është diplomuar në Universitetin e Islandës dhe Universitetin e Oxfordit.

 

Fjalim

Themeluesit e forumit

Biljana Braithwaite është Drejtore e Programit për Sundimin e Ligjit në Ballkanin Perëndimor të Qendrës AIRE. Ajo ka përvojë mbi njëzet vjet lidhur me zhvillimin, financimin dhe zbatimin e më shumë se pesëdhjetë projekteve të sundimit të ligjit, duke përfshirë forcimin e sistemeve gjyqësore kombëtare dhe ofrimin e formave të tjera të asistencës teknike, trajnime për të drejtat e njeriut, reforma ligjore dhe luftën kundër korrupsionit, shpesh në partneritet me shoqërinë civile. Si avokate e diplomuar nga Universiteti i Beogradit dhe Instituti Raul Wallenberg i Universitetit Lund në Suedi, Biljana e filloi karrierën e saj në Qendrën e Beogradit për të Drejtat e Njeriut dhe ka qënë e angazhuar me Qendrën AIRE që nga viti 1998. Ajo ka themeluar dhe bashkëredakton buletinin ligjor profesional “Human Rights in Europe” (Të Drejtat e Njeriut në Evropë), tani me mbi 150 edicione. Ajo gjithashtu ka bashkë-redaktuar një sërë udhëzuesish për gjyqtarët, vendimmarrësit dhe profesionistët në Evropën Juglindore mbi lirinë e shprehjes, mbrojtjen ndërkombëtare të fëmijëve dhe ligjin evropian për azilkërkuesit. Ajo është anëtare e bordeve të AIRE Center USA dhe International Bridges to Justice.

Goran Miletić është Drejtor për Evropën në organizatën për të drejtat e njeriut Civil Rights Defenders me qendër në Stokholm. Që nga viti 2004, ai ka ndihmuar për udhëheqjen e përpjekjeve të organizatës në Ballkanin Perëndimor, duke bashkëpunuar dhe siguruar rritjen e kapaciteteve të organizatave të të drejtave të njeriut në rajon. Gjatë kësaj kohe, ai ka qenë veçanërisht i angazhuar për hartimin dhe lobimin për miratimin e legjislacionit gjithëpërfshirës për anti-diskriminim në Ballkanin Perëndimor dhe është anëtar i Komisionit Evropian të Ligjit për Orientimin Seksual (ECSOL) dhe i Këshillit të Ekspertëve të Ligjit për OJQ-të pranë Këshillit të Evropës. Ai është anëtar i Bordit të Fondacionit “Heartefact” që nga themelimi i tij.

Panelistët

Dr. Pavel Usvatov është Drejtor i Programit të Fondacionit Konrad Adenauer (KAS) për Shtetin e së Drejtës në Evropën Juglindore. Para se të punonte për KAS-in, Pavel Usvatov ka punuar si konsulent i lirë dhe ligjërues dhe si profesor i asociuar (potdoc) në Universitetin Helmut Schmit në Hamburg. Më parë, ai ka punuar si konsulent ligjor dhe profesor i të drejtës administrative në GIZ në kuadër të një projekti për reformën e të drejtës administrative në Kaukazin Jugor në Baku. Para kësaj, ai ka punuar për vite me radhë si avokat për çështje komerciale në Hamburg. Pavel Usvatov ka studiuar drejtësi dhe studime të Evropës Lindore në Hamburg dhe Bilbao. Më pas ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin Juridik Albrecht Mendelssohn Bartholdy (Universiteti i Hamburgut) me bursë të plotë, dhe aty ka mbrojtur edhe doktoraturën në vitin 2019. Tema e tij e doktoraturës mbi të drejtën krahasuese në lidhje me kontrollin financiar shtetëror në Gjermani dhe Rusi ka marrë Çmimin e Dizertacionit të Shoqatës së Juristëve Gjermano-Rusë në vitin 2020.

Ledi Bianku është Profesor i Asociuar në Universitetin e Strasburgut. Në periudhën 2008-2019 ai ishte gjyqtari i Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai ka shërbyer më parë si Anëtar i Komisionit të Venecias për Demokracinë përmes Ligjit nga viti 2006 deri në vitin 2008. Ai ka qenë kryetar i Autoritetit Kombëtar Audio-vizual në periudhën 2006-2007. Ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, së Drejtës së BE-së dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë dhe Shkollën Shqiptare të Magjistraturës në periudhën 1993-2007. Ai gjithashtu ka shërbyer si këshilltar ligjor për organe të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Z. Bianku është i diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe Kolegjin e Evropës në Bruges.

Gjyqtarja Ksenija Turković është Presidente Seksioni, si dhe Zëvendëspresidente e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Zagreb (1987) dhe ka diplomë LL.M. dhe J.S.D. nga Shkolla e Drejtësisë e Yale-t. Ajo ka punuar si Këshilltare Ligjore për Hunton & Williams (Nju Jork) dhe ka qenë partnere e praktikës ligjore të korporatave në Sullivan & Cromwell (Nju Jork). Që nga viti 1987, ajo ka dhënë leksione mbi të drejtën penale, kriminologjinë, viktimologjinë dhe ligjin mbi shëndetin në Universitetin e Zagrebit dhe u bë profesore me kohë të plotë në vitin 2008. Ajo ka qenë drejtuese e grupit të ekspertëve që hartuan Kodin e Ri Penal të Kroacisë (2009-2012). Ajo ka botuar katër libra shkollorë (bashkëautore), tre libra (redaktore me kontribut), një komentar juridik (autore kryesore) dhe mbi 50 shkrime akademike në revista ndërkombëtare dhe vendase në fushat e të drejtës penale, të drejtës mjekësore dhe etikës, kriminologjisë, viktimologjisë dhe të drejtave të njeriut.

Gjyqtari Tim Eicke u zgjodh si gjyqtar për Mbretërinë e Bashkuar pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në shtator të vitit 2016. Ai ka marrë titullin avokat (barrister) në Londër në vitin 1993, u bë anëtar i Këshilltarëve të Mbretëreshës në vitin 2011 dhe anëtar i Lincoln’s Inn që nga viti 2014. Ai më parë ka shërbyer si Këshilltar pranë Kurorës si dhe pjesë e panelit të këshilltarëve për Komisionin e Barazisë dhe të Drejtave të Njeriut. Tim Eicke ka qënë gjithashtu redaktor i Raporteve Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një kohë të gjatë. Ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Passau-t, Gjermani, dhe Universitetin e Dundee, Mbretëria e Bashkuar, ku u diplomua me LL.B. (shkëlqyeshëm) mbi të drejtën angleze.

Gjyqtarja Ivana Jelić u zgjodh si gjyqtare për Malin e Zi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në korrik të vitit 2018. Ajo është anëtare e Komitetit të Shkencave Ligjore të Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve që nga viti 2015. Para se të bëhej pjesë e Gjykatës, ajo ka qënë Profesore e Asociuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Malit të Zi. Ajo ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Malit të Zi, Universitetin e Beogradit, Shkollën e Drejtësisë të UC Berkeley dhe të Columbia në Nju Jork, si pjesëmarrëse në programin JFDP. Ajo ka gradën LL.M. në drejtësi që nga viti 2004 dhe gradën Doktor i Shkencave që nga viti 2007, të marra nga Shkolla e Drejtësisë e Universitetit të Beogradit, Serbi.

Gjyqtari Faris Vehabovic u zgjodh si gjyqtar për Bosnjën dhe Hercegovinën në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në vitin 2012. Në periudhën 1996 – 2000, ai ka punuar si këshilltar ligjor në zyrën e Avokatit të Popullit të Bosnje dhe Hercegovinës. Në vitin 2005, u diplomua nga programi ndërdisiplinar i Masterit në Studime Evropiane i Universiteteve të Sarajevës dhe Bolonjës. Nga 2007 deri në vitin 2012, Vehabović ka punuar si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe nga viti 2008 ka shërbyer edhe si nënkryetar i saj. Ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Sarajevës nga viti 1987, ku u diplomua në vitin 1993.

Gjyqtari Erik Wennerström ka lindur në Suedi në vitin 1962. Ai mban titullin Profesor Doktor i Drejtësisë në të drejtën ndërkombëtare, të drejtën e BE-së dhe në jurisprudencën ligjore. Ai ka qenë Drejtor për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Çështje të BE-së pranë Ministrisë së Drejtësisë, dhe Kryetar për Çështje të Zbatimit të së Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme (2007-2011), si dhe Kryekëshilltar Ligjor për të Drejtën Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2007-2012). Nga viti 2012 ai ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Krimeve. Erik Wennerström gjithashtu ka qenë anëtar bordi në shumë organizata ndërkombëtare. Ai është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në prill të vitit 2019.

Prof. Dr. Paul Lemmens është gjyqtari i zgjedhur për Belgjikën në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai ka qenë anëtar i Dhomës së Avokatisë në Bruksel dhe më vonë gjyqtar në Këshillin e Shtetit (Gjykata e Lartë Administrative) të Belgjikës. Ai është Profesor Emitus në Universitetin Katolik të Leuven-it, ku jep mësim lëndën e të drejtave të njeriut që nga viti 1986. Ai ka qenë anëtar i Panelit Këshillimor për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut në Kosovë nga viti 2007 deri në vitin 2012.

Gjyqtari Branko Lubarda është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me Serbinë në janar të vitit 2015. Nga viti 2013 e deri në vitin 2015 ai ka qenë Kryetar i Bordit të Agjencisë Anti-Korrupsion të Serbisë. Më parë, ka qenë anëtar i Bordit Shtetëror Serb për parandalimin e konflikteve të interesit mes viteve 2005 dhe 2009. Ai është diplomuar, ka përfunduar studimet Master dhe Doktoraturën në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit, ku më pas ka punuar si Asistent Profesor që nga viti 1992.

Gjyqtari Jovan Ilievski u zgjodh si gjyqtar për Maqedoninë e Veriut në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në shkurt të vitit 2017. Në periudhën 2004-2017 ai ka qenë përfaqësues i Zyrës së Prokurorëve Publikë të Grupit Këshillimor të prokurorëve të Evropës Juglindore (SEEPAG) që prej themelimit të tij dhe që nga data 1 janar 2012 ka qenë kryetar i SEEPAG-ut. Në periudhën 2006 – 2017, ka shërbyer si Anëtar i Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Evropianë (CCPE) brenda Këshillit të Evropës. Në vitin 2013, ka mbrojtur doktoraturën në të drejtën penale nga Universiteti i Shkupit. Më parë, ai e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij me Prokurorinë Publike në Shkup, duke shërbyer si shef i Zyrës së Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga viti 2012 deri në vitin 2017. Në periudhën 2013-2017 ka punuar si Profesor në Universitetin Shtetëror të Shtipit. Në vitin 2015 ka shërbyer si President i Komisionit për Harmonizimin e Politikës Penale.

Gjyqtari Darian Pavli ushtron detyrën si gjyqtar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për Shqipërinë që nga janari i vitit 2019. Para se të bëhej pjesë e kësaj Gjykate, gjyqtari Pavli ka pasur një përvojë të gjerë në fushën e të drejtave të njeriut, ku përfshihen procese gjyqësore përpara mekanizmave udhëheqës  ndërkombëtarë dhe rajonalë të të drejtave të njeriut. Përvoja e tij është përqendruar kryesisht te liria e shprehjes dhe organizimit dhe, ndër të tjera, kufizimet e të drejtave në lidhje me sigurinë kombëtare. Ai gjithashtu ka kontribuar në përpjekje të ndryshme për vendosjen e standardeve në Evropë, Amerikë dhe rajone të tjera. Gjatë viteve të fundit, gjyqtari Pavli ka shërbyer si këshilltar në Kuvendin e Shqipërisë mbi çështjet që lidhen me reformat madhore në drejtësi, si dhe mbi reformat ligjore kundër shpifjes dhe të drejtën e informimit. Gjyqtari Pavli ka diploma të avancuara në drejtësi nga Universiteti i Evropës Qendrore dhe Shkolla e Drejtësisë e Universitetit të Nju Jorkut.

Krešimir Kamber është diplomuar me Master në Drejtësi nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit Rijeka (Kroaci), ku gjithashtu përfundoi studimet e mëtejshme në shkencat penale dhe të drejtën penale. Ai e ka mbrojtur doktoratën në Fakultetin e Drejtësisë dhe Kriminologjisë të Universitetit të Gentit (Belgjikë) pasi përfundoi një hulumtim në fushën e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë penale procedurale.

Ai punon si jurist në Drejtorinë e Juriskonsultit të Sekretarisë së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe mban pozicionin e studiuesit postdoktoral në Fakultetin e Drejtësisë dhe Kriminologjisë të Universitetit të Gentit. Më parë ai ka punuar si zyrtar ligjor në Zyrën e Avokatit të Shtetit në Bashkinë e Zagrebit (Kroaci).

Ai ka botuar disa artikuj dhe është bashkëautor i disa librave dhe jep rregullisht leksione mbi çështje të ndryshme të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë penale. Ai gjithashtu merr pjesë në iniciativa të ndryshme të Këshillit të Evropës, si dhe ato të sektorëve qeveritarë dhe joqeveritarë për çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe drejtësinë penale.

Z. Thomas Markert ka dalë në pension kohët e fundit nga pozita e Drejtorit dhe Sekretarit të Komisionit të Venedikut. Ai ka studiuar në Universitetin e Tübingen, Kolegjin e Evropës në Bryzhë dhe në Fakultetin Juridik Fletcher për Ligj dhe Diplomaci në Medford të SHBA-së. Ai ka mbrojtur Doktoratën në Drejtësi në Universitetin e Tübingen në vitin 1989. Ai është bërë pjesë e Këshillit të Evropës në vitin 1989 dhe ka punuar për Komisionin e Venedikut prej vitit 1992. Ai është emëruar Kryetar i Sekretariatit të Komisionit të Venedikut në vitin 2010. Thomas Markert ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë, teksteve të ndryshme kushtetuese për Kosovën, Kartën Kushtetuese të Serbisë dhe Malit të Zi, Marrëveshjen Kornizë të Ohrit në Maqedoni, si dhe propozimet për amendamente në Kushtetutën e Dejtonit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Fjalim

Mirjana Lazarova Trajkovska u zgjodh si gjyqtare në Gjykatën e Lartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në mars të vitit 2020. Në periudhën nga shkurti 2008 – shkurt 2017, ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nga nëntori 2015 – shkurt 2017, ajo ka shërbyer si Presidente e Seksionit të Parë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nga viti 2003 deri në vitin 2008 ajo ka shërbyer si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë. Në periudhën 2001 – 2003, ajo ka shërbyer si Shefe e Departamentit për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në peirudhën 2002 – 2003 ajo ka shërbyer si Kryetare e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Republikën e Maqedonisë. Në maj të vitit 2018, ajo ka qenë Profesore vizituese e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Renmin të Kinës, në Pekin. Në vitin 2017, ajo ka qenë kërkuese vizituese në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Birmingham, MB dhe Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Katolik në Lille, Francë.

Ajo ka shërbyer si Anëtare e Komisionit Evropian për Demokracinë përmes Ligjit (Komisioni i Venecias). Ajo ka shërbyer po ashtu si Zëvendëskryetare e Këshillit për Zgjedhjet Demokratike, anëtare e Komitetit Drejtues për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, dhe anëtare e Grupit të Punës të Komitetit të Ekspertëve të KE-së për Kombësinë (CJ-NA-GT), i cili punon për Konventën për shmangien e pashtetësisë në lidhje me shtetin pasues.