11 Kor Kompensimet e vogla vendore për burgim të padrejtë paraqesin shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, njëzëri, ka konstatuar se ka pasur shkelje të nenit 5 § 5 (e drejta për kompensim për shkak të burgimit të padrejtë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në rastin Vasilevskij dhe Bogdanov kundër Rusisë (kërkesa nr. 52241/14 dhe nr. 74222/14, 10/07/2018).
Rasti kishte të bënte me ankesën e parashtruesve për shkak të shumës së vogël të kompensimit i cili iu dha për burgim të padrejtë. Z. Vasilevskiy ishte privuar padrejtësisht nga liria për një vit e gjysmë, ndërsa z. Bogdanov ishte burgosur padrejtësisht për katër muaj.
Gjykata tha se Konventa nuk parashikon nivele specifike kompensimi dhe se këtë e vlerësojnë gjykatat kombëtare sipas nivelit të vuajtjes, stresit, ankthit apo efekteve të dëmshme të burgimit të padrejtë. Sidoqoftë, dhënia e një kompensimi të papërfillshëm ose jashtëzakonisht të ulët do ta bënte teorike dhe iluzive të drejtën e kompensimit, e jo praktike dhe efektive siç kërkohet nga Konventa.
Gjykata në veçanti konstatoi se kompensimet vendore ishin baraz me 7 euro dhe 2,70 euro në ditë për burgim të padrejtë, që ishte aq i vogël saqë e dëmton thelbin e të drejtës së tyre për kompensim sipas Konventës Europiane.
Për më tepër, Gjykata vlerësoi se kompensimi për z. Bogdanov u zvogëlua pesëfish nga gjykata e apelit, pa ndonjë shpjegim të qëndrueshëm për një zvogëlim të tillë drastik. Gjykata vendore nuk kishte përmendur se burgimi i tij i padrejtë ishte shkaktuar nga ndikimi i policisë dhe nga përdorimi i provave të papranueshme në procedura penale. Gjykatat vendore duhet ta kishin konsideruar detyrim të tyrin të tregojnë pakënaqësi ndaj veprimeve policore duke dhënë kompensim të mjaftueshëm. Në përgjithësi, shumat e dhëna ishin aq të vogla saqë e kishin cënuar thelbin e të drejtës së tyre për kompensim dhe ka pasur shkelje të Konventës.
Gjykata vendosi se Rusia duhet t’i paguajë parashtruesit 5,000 euro për dëm jomaterial. Gjykata gjithashtu vendosi se kompensimi i dëmit jomaterial nuk e përjashton detyrim ligjor të autoriteteve vendore të adresojnë shkeljen e konstatuar të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.