24 Tet Opinioni i pestë për Maqedoninë e Veriut nga Komiteti Këshillimor Për Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare
Komiteti Këshillimor për Konventën Kornizë të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (FCNM) publikoi një opinion të ri më 21.09.2022. Sipas Komitetit Këshillimor, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen ligjore të të drejtave të pakicave kombëtare duke përmirësuar politikat e saj në përputhje me Konventën Kornizë, por zbatimi praktik i tyre duhet të rritet.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të zbatojnë Konventën Kornizë kryesisht për pakicat kombëtare të përmendura në kushtetutë: shqiptarët, boshnjakët, romët, serbët, turqit dhe vllehët, me njëfarë fleksibiliteti të aplikuar ndaj grupeve të panjohura.
Komiteti Këshillimor dha disa rekomandime për Maqedoninë e Veriut që kanë për qëllim forcimin e mëtejshëm të antidiskriminimit dhe barazisë, mbrojtjen e pakicave kombëtare nga armiqësia dhe dhuna, promovimin e kulturave të tyre, përmirësimin e arsimimit të tyre dhe përfaqësimin në media si dhe të drejtat e tyre gjuhësore, të punës dhe strehimit.
Ndonëse marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar, vijat ndarëse etnike dhe gjuhësore dalin në sipërfaqe në momentet e krizës. Për të siguruar qëndrueshmëri e Strategjisë “Një Shoqëri për të Gjithë”, e cila ka një qasje të vlefshme ndërkulturore, kërkohen më shumë mbështetje politike të nivelit të lartë dhe financim solid.
Komiteti shpreh keqardhje që mjediset e përziera të shkollës dhe të klasës mbeten përjashtim. Duhet ndjekur një qasje më ndërkulturore, duke përfshirë trajnimin e mësuesve dhe nxënësve mbi kulturat dhe historinë e pakicave të ndryshme dhe zhvillimin e kontakteve më të rregullta midis nxënësve me prejardhje të ndryshme etnike.
Korniza ligjore në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe krimit të urrejtjes është përmirësuar, por aplikimi i saj vazhdon të jetë i pakënaqshëm dhe gjuha e urrejtjes, veçanërisht online, është problem serioz. Ka pasur disa raste të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga autoritetet policore derisa ndëshkimet kundër zyrtarëve të policisë janë të rralla. Prandaj, Maqedonisë së Veriut i kërkohet të sigurojë që krimet e urrejtjes dhe gjuha e urrejtjes të hetohen efektivisht dhe të forcohen mekanizmat mbikqyrës që merren me sjelljen policore.
Përkundër rritjes së moderuar në shkallës së regjistrimit dhe rënies së ndjekjes së shkollave të ndara, fëmijët romë vazhdojnë të kenë rezultate arsimore shumë më të dobëta. Autoritetet duhet ta adresojnë me vendosmëri arsimin e ndarë de facto, duke përmirësuar përfshirjen e fëmijëve romë në sistemin parashkollor si dhe qasjen e tyre të mëtejshme në arsimin cilësor. Pjesëtarët e komunitetit rom duhet të gëzojnë kujdesin shëndetësor pa pagesë të garantuar me ligj, me vëmendje të veçantë ndaj qasjes në shërbimet shëndetësore riprodhuese dhe informata për gratë rome.
Opinionin e plotë mund ta gjeni këtu: https://rm.coe.int/5th-op-north-macedonia-en/1680a82967
Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës